Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Shqipërisë mbi 110,000 dollarë pajisje sigurie dhe komunikimi për Shërbimin Penintenciar në burgje.
Ambasada e SHBA bën me dije se ndihma i është dorëzuar sot Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Admir Abrija nga homologu amerikan Ben Rockwell. Më tej ambasada shkruan se do të vijojë të ndihmojë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në përmirësimin e sigurisë.
“Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformën e burgjeve, Drejtori për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit Ben Rockwell i dorëzoi këtë javë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Admir Abrija mbi 110,000 dollarë pajisje sigurie dhe komunikimi për Shërbimin Penintenciar të Shqipërisë. Ambasada e SHBA do të vazhdojë të ndihmojë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në përmirësimin e sigurisë së burgjeve dhe zhvillimin e një sistemi penintenciar modern dhe mirëfunksional që mbron publikun dhe siguron një sistem burgjesh të sigurt, njerëzor dhe efikas”, shkruan ambasada e SHBA.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Admir Abrija shprehet se ndihet i lumtur që iu dorëzua kjo ndihmë nga SHBA.
“Shumë i lumtur të prisja Drejtorin për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit Ben Rockëell, i cili na dorëzoi këtë javë mbi 110,000 dollarë pajisje sigurie dhe komunikimi për Shërbimin Penintenciar në Republikën e Shqipërisë. Nga Z. Rockuell mora premtimin që Ambasada e SHBA do të vazhdojë të ndihmojë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në përmirësimin e sigurisë së burgjeve dhe zhvillimin e një sistemi penintenciar modern dhe mirëfunksional!”, shkruan Abrija.