Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka kallëzuar sot penalisht në Prokurorinë e Vlorës, zyrtarët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Himarës, Komisariatin e Policisë pranë kësaj bashkie, si dhe zyrtarët e Drejtorisë Rajonale Vlorë të IKMT.
Objekti i kallëzimit është “shpërdorim detyre”. Referuar dokumenteve, zyrtarët akuzohen për mos-ushtrim të kontrollit në territorin që administrojnë.
Më konkretisht, bëhet fjalë për objektin që inspektorët e IKMT prishën dje me shpërthim të kontrolluar në Gjilekë, Dhërmi, ndërkohë që nga institucionet përgjegjëse vendore nuk është bërë asnjë sinjalizim për këtë ndërtim pa leje.