Fterra e hershme, në kërkim të turizmit me pak dorë nga shteti.

Fterra e hershme, në kërkim të turizmit me pak dorë nga shteti.

PËRSHTYPJET E PARA

Fterra shtrihet përgjatë një kodre të ulët, në lindje të fshatit Çorraj, e rrethuar prej rrjedhave ujore. Prania e këtyre burimeve është menjëherë e dukshme: fshati është i gjelbëruar i harlisur edhe gjatë stinës së verës ku malet përreth janë të thara. Fterra të jep ndjesinë e një fshati të vogël pak më antik se fshatrat e tjera të zonës. Nuk ka pasur kurrë madhështi, por ajo çka e ka karakterizuar gjithnjë ka qenë modestia. Kjo është hijëshia e këtij fshati. Fterra është si një pikë. Ajo çka e rrethon atë bëhet edhe më ekstreme. Dhëmbëzimi i maleve, humnerat e rrëpira mbi lugina bëhen edhe më të mprehta e kërcënuese, më madhështore se trualli memec, ku pamja që shfaqet përmes dritares ka fushëpamje të kufizuar. Në fshatra të tilla mund të ndiesh vetminë që dikur karakterizonte ekzistencën njerëzore: e njëjta pasiguri që nxiti lindjen e besimit fetar dhe besëtytnive. Një ditë e kaluar në Fterrë të çon prapa në kohë, në një periudhë të shkuar, e mposhtur prej teknologjisë, besimit dhe mbizotërimit të njeriut mbi natyrën. Është pikërisht ky fshat vendi ku mund të rikujtohemi për kufirin e brishtë ndërmjet civilizimit dhe natyrës së egër.

POPULLSIA- AKTIVITETI EKONOMIK

Banorët e Fterrës janë marrë kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Në fshat mbizotërojnë drurët frutorë. Ndër ta, më të rëndësishëm janë: ulliri, arra, fiku, portokalli, limoni, mandarina dhe rrushi. Rreth fshatit janë të shumta pyjet dhe shkurret me gjelbërim të përhershëm, që mbulojnë pjesën më të madhe të territorit të Fterrës. Ato mbrojnë tokën nga gërryerjet dhe ruajnë ekuilibrin natyror. Pyjet dhe shkurret përfaqësohen nga prralli, lisi, frashri, shqemëza dhe në kullota më të ulëta mareja, shqopa, smarthi, rigoni, sherbela dhe çaji. Kulturat bujqësore më të përhapura janë drufrutorët e perimet dhe më pak drithërat e bukës. Ndër drufrutorët më i çmuari është ulliri mesdhetar shekullor, frytet e të cilit përdoren për vaj cilësor dhe për t'i kripur. Kultivohen agrumet, më shumë portokalli e më pak mandarina e limoni. Janë me cilësi fiqtë: perdhikulë, shënjinas dhe kallamat. Arrat, shegët, ftonjtë e mani kultivohen gjerësisht. Pemët frutore janë, gjithashtu, një burim tjetër tradicional i ushqimit të Fterrës; kultivohet hardhia, si në bahçe ashtu edhe në oborret pranë shtëpive, kryesisht në formën e pjergullave. Blegtoria është degë kryesore për prodhimet blegtorale, ushqim dhe veshje. Rritja e dhisë dhe e deles të racës autoktone është aktiviteti kryesor për banorët.

RRËNJËT - HISTORIA 

 
Sikundër dëshmojnë të dhënat arkeologjike, Fterra ka qenë banuar qysh në kohën e bronzit, rreth 3000 vjet më parë.
Por d.okumenti i parë i shkruar për ekzistencën e fshatit është defteri osman i vitit 1431, i cili na bën të njohur se Efterani (i shkruar ndryshe ifteran ose Fterrë), bënte pjesë në nahijen e Sopotit, kazaja e Gjirokastrës, dhe kishte në atë kohë 12 hane, familje me kryefamiljarë, si dhe familje të tjera që paguanin taksa më të vogla. 
Në defterin e vitit 1583, dmth. Pas 150 vjetëdh, del përsëri emri i fshatit ifteran me 24 zjarre (shtëpi). Në shekujt që vijojnë (shek. XVI deri në shek. XIX) nuk kemi dokumente të shkruara, por historinë e fshatit do ta gjejmë në ngjarje historike të Labërisë e më gjerë, ku merr pjesë aktive në luftërat për liri e pavarësi. Në kryengritjen e vitit 1833 - 1834 kundër zbatimit të Reformave të Tanzimatit, fterriotët kanë marrë pjesë kundër kësaj reforme me armë në dorë

RRËNJËT - HISTORIA

Në ballë të kryengritjeve labe ishte Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, kurse Lazo Kofina (i parë) ishte komandant i çetës së Fterrës dhe këshilltar i Zenel Gjolekës. Zenel Gjoleka (vdiq më 1852) ishte një revolucionar shqiptar i njohur për rolin e tij në revoltën Shqiptare të vitit 1847, gjithashtu e njohur si Revolta e Zenel Gjolkës [Schwander- Sievers, Stephanie (2002). Albanian Indentities: Myth and History, Indiana University Press, p.180.] Pas këtyre ngjarjeve ai u fal prej Abdülmecid I, sulltani i Perandorisë Osmane të asaj kohe. Më 1852 ai vdiq duke luftuar si mercenar kundër forcave malazeze.

POPULLSIA - HISTORIA

Të trashëguara nga një traditë e hershme mesjetare, për administrimin dhe mbarëvajtjen e jetës urbane, marrëdhënieve sociale dhe të atyre ekonomike, Fterra ka përdorur për disa shekuj "Kanunin" e Papa Zhulit. Ndoshta dispozitat e tij pushuan së funksionuari në mesin e shekullit XIX. Pa dyshim, trashëgimia e normave zakonore të këtij "Kanuni" ka lënë gjurmë në familjen patriarkale mesjetare të këtyre anëve. Megjithatë, në familjen fterriote nuk gjejmë pabarazi dhe aq më pak diskriminime në raportet mes gruas dhe burrit. Tradicionalisht janë ruajtur pothuaj raporte të barazisë gjinore dhe të një familjeje të qendrueshme dhe solide. Kostumi tradicional i banorëve të Fterrës është pothuaj i njëjtë me kostumin e banorëve të fshatrave të tjera të Labërisë, ndoshta disi më i përpunuar. Burrat mbajnë xhamadan, fustanellë të bardhë, që vjen deri nën gju, brez leshi shumëngjyrësh, por që mbizotëron e kuqja dhe e zeza; në këmbë mbajnë të veshur kalca dhe opinga me xhufka në majë. Në kokë mbajnë qylaf të bardhë, veshin këmishë të bardhë me mëngë të gjata dhe të gjera pa jakë. Në disa raste, në vend të fustanellës burrat e Fterrës mbajnë pantallona në formën e kiloteve.

POPULLSIA - TRADITA DHE HISTORIA

Kostumi i grave karakterizohet nga një linjë veshjesh që mbulon gjithë trupin, duke arritur gjer te kyçi i këmbës - xhup e peshli leshi, shark apo xhokë leshi, çorape leshi shumëngjyrëshe, rrip mesi apo brez leshi, ndërsa së stolitë e tyre përmendim: vathët e argjendtë, varg apo varëse të argjendta, brez i argjendtë, rrip me qëndisje argjendi, byzylik duarsh sindhe hajmali tradicionale. Xhupi është përherë i qëndisur me ar, ndërsa fustani i shekullit XX është jeshil i derdhur deri afër fundit të këmbëve, si dhe këpucë të zeza, të lehta. Rreth qafës së fustanit mbajnë hajmali të punuar me dantella, sikundër ato që i gjejmë sot te gratë arbëreshe në Kalabri. Në disa raste, në kostumin e grave gjejmë edhe ndikimin e veshjeve turke, sikundër çitjanet. Ngjyra që mbizotëron te jelekët dhe qëndisjet janë e kuqja, ngjyrë shege dhe punimet e zbukuruara me ar.

PEIZAZHI - BURIMET UJORE DHE SHPELLAT E FTERRËS

Menjëherë të dallueshme janë burimet e shumta ujore që rrjedhin në Fterrë në rreth 200 m lartësi mbi nivelin e detit, të cilat janë shpallur Monumente Natyre. Këto burime kanë origjinë karstike. Tipari karakteristik i këtyre burimeve është krijimi i një peizazhi të shëndetshëm, si dhe ujë i pastër dhe i ftohtë. Rreth 45 burimet ujore që rrjedhin në fshat janë të gjitha të emërtuara, ku mund të përmendim: Kroi i Sheshit të Madh apo Kroi i Rrëzës së Shkallës. Krojet e Fterrës kanë vlera të mëdha hidrologjike, didaktike, ekonomike e turistike. Pranë shpatave të malit, që bien thikë nga lartësi të mëdha, ka një numër të madh shpellash ende të paeksploruara. Më të njohurat janë: Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçke, Shpella e Soroit, Shpella e Guvave, Shpella e Gjolekës, Shpella e Zane, të cilat kanë karakteristika të veçanta nga njëra-tjetra, me gjatësi të ndryshme, që arrijnë në disa dhjetëra metra. Origjina e tyre dhe karakteristikat që ato kanë janë ende të pastudiuara.

 

VENDODHJA - ARKITEKTURA

Shtëpitë e banimit të fshatit Fterrë janë të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me rrasa guri, traditë kjo karakteristike, e cila dallohet mjaft qartë edhe sot. Portat hyrëse të shtëpive janë me qemer dhe muret rrethuese, kryesisht me gur të thatë, janë karakteristike për banesat e fshatit. Brenda mureve rrethuese ka përherë një kopsht të vogël ku mbillen zarzavate dhe lule. Ambientet e brendshme të shtëpive mbulohen nga qilima dhe velenxa leshi, të cilat punohen intensivisht dhe përgatiten në dërstilat vendase. Rrugët e fshatit janë të shtruara me gurë, të cilat prej vitesh janë mirëmbajtur në mënyrë vullnetare.

VENDODHJA - INDI URBAN

Fterra është një "pikë"... dhe kjo është mënyra si mund ta përshkruajmë këtë fshat të vogël e kompakt, ku disa shtëpi janë të kredhura në peizazhin e ngjeshur e të gjelbëruar malor. Për shkak të klimës së favorshme, në oborret e shtëpive rriten shumë pemë frutore, mes të cilave dallohen: fiqtë, mollët, dardhat, ftonjtë e shegët.

VAREA E FTERRËS - NJË MONUMENT NATYROR

Varea e Fterrës, rrëshqitja tektonike e dherave, përfaqëson një proces të rrallë e interesant gjeologjik Ekzistojnë një numër i madh burimesh ujore përreth kësaj zone, që kanë vlera shkencore (gjeologjike e gjeomorfologjike), duke u bërë një pasuri kulturore dhe turistike.

LEGJENDA "PËRROI I LOTËVE TË DRERIT"

Legjenda thotë se fshati u krijua në kohë të lashta, që kur nuk mbahet mend. Në ato kohë, një grup gjahtarësh me harqe dhe shigjeta po kërkonin të vrisnin një dre të bukur që levizte në ato anë. Pas shumë përpjekjesh të pasukseshme, një ditë gjahtarët vunë re se dreri ishte futur në një pyll mjaft të dendur, ku ata nuk mund të futeshin dot. Duke parë se të gjitha mjetet për ta vrarë nuk ishin efektive, gjahtarët vendosën t'i vinin zjarrin të gjithë pyllit që ta detyronin drerin të dilte nga vendi ku ishte fshehur dhe ta vrisnin. Ashtu bënë vërtet, por dreri nuk doli prej aty. Kur pylli u dogj dhe u shkatërrua tërësisht, gjahtarët shkuan të shihnin se ç'kish ndodhur me drerin. Ndërkohë vunë re se drejt këmbëve të tyre kishte filluar të gurgullonte një rrëkezë uji. Shkuan pas rrëkezës dhe për çudinë e tyre panë që rrëkeza ishte krijuar nga lotët që rridhnin prej syve të drerit të vrarë. Pikërisht në atë vend gjahtarët ngritën fshatin e tyre, në mes të të cilit edhe sot rrjedhin burime të shumta: Fterra.

ATMOSFERË NGA FSHATI

FAKTE E SHIFRA


 Fterra është një fshat i banuar prej shumë shekujsh. 1431 : fshati i Sopotit të Nahijes kishte 12 hane. 1990 : 80 deri në 100 familje. 1994 : 134 shtëpi. 2004 : 500 familje si dhe mbi 2 300 banorë. Gjithsesi, popullsia është zvogëluar ndjeshëm vitet e fundit si pasojë e kushteve të vështira infrastrukturore; emigrimi drejt Greqisë është i lartë si dhe migrim i brendshëm drejt zonave urbane të Shqipërisë.

Image

Mund të na arrini përmes telefonit, postës elektronike dhe uebfaqes. Gjithashtu mund të na dërgoni mesazh përmes Faqes tonë të Kontaktit.

Mund të na arrini përmes telefonit, postës elektronike dhe uebfaqes. Gjithashtu mund të na dërgoni mesazh përmes Faqes tonë të Kontaktit.