Kryeministri Edi Rama dhe një delegacion shqiptar do të udhëtojnë sot drejt Brukselit, pasi nesër do të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare për hapjen zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Delegacioni përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit; duke nisur nga kreu i Qeverisë Edi Rama, shefja e diplomacisë Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, zv.ministra e drejtorë që merren me çështjen e integrimit europian të vendit.
Të hënën do të mblidhen edhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së e atëherë do të jetë edhe më e qartë agjenda e Konferencës së Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Kjo konferencë do të zhvillohet paraditen e 19 korrikut. Është parashikuar që takimi të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp.
Delegacioni shqiptar do të ulet përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme, Josef Borrell, Komisionerit për Zgjerim, Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka Presidencën e radhës së BE-së.
Përfaqësuesit e të dyja palëve do të paraqesin kornizën negociuese, e cila duhet të miratohet. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo do të jetë edhe çelja zyrtare e negociatave. Lajmi pozitiv vjen fill pas votimit në Kuvendin maqedonas të propozimit francez, që parashikon në vetëvete dhe disa zgjidhjen e dis aproblemeve mes Shkupit zyrtar dhe Bullgarisë.